Jump to
Press alt + / to open this menu
Join or Log Into Facebook  
Do you want to join Facebook?
Sign Up

Mëngjesi, mënyra më e mirë për të nisur ditën

Studimet shkencore të 20 viteve të fundit kanë arritur në përfundimin se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm i ditës. Një mëngjes sado i thjeshtë, me qumësht, reçel apo fruta, është burim vitaminash, shton përqendrim dhe rrit mundësinë për të kontrolluar peshën.


Imazhi është gjithmonë i njëjtë, nga një brez te tjetri, pavarësisht kohës, punës apo moshës: nëna dhe babai (ose të paktën njëri nga të dy), përpara me filxhanët e ngrohtë dhe tabakanë plot me kruasan apo ëmbëlsira të tjera. Kështu i ilustrojnë mëngjeset televizionet dhe gazetat prej më shumë se gjysmë shekulli. Në të vërtetë, sot nuk është më kështu, sepse luksi i vërtetë i këtij mijëvjeçari nuk është paraja, por koha. Madje edhe në mëngjes. Sot nuk na mungon asgjë: kafe, fruta në të gjitha stinët, qumësht i shijshëm, bukë e çdo lloji, apo biskota të shijshme që Evropa ka më shumë se 2000 vjet që i prodhon, na mungon vetëm koha. Me pak fjalë, mëngjesi i bollshëm është pasqyra besnike e zgjimeve tona të përditshme. Kërkimet e fundit të institutit evropian mbi ushqyerjen tregojnë se rreth 80 për qind e evropianëve e nisin ditën duke ngrënë mëngjes, megjithëse askush nuk i kushton atij më shumë se 11 minuta. Zakonisht, vakti i parë përbëhet nga kafeja dhe ndonjë biskotë. "Pak a shumë është njëlloj si të fusësh gishtat në prizën e korrentit", shpjegojnë dietologët. Ata thonë se, meqenëse është edhe vakti i parë i ditës, duhet të jetë i pasur, i larmishëm, i tretshëm dhe mbi të gjitha të konsumohet në qetësi, për të evituar nisjen e ditës me këmbën e gabuar. Nga se duhet ta nisim? Nga kapuçinoja plot yndyra dhe alkaloidë që lodhin stomakun dhe mëlçinë, apo nga brioshët, gjalpi dhe reçeli shumë i ëmbël? Mëngjesi më i dashur që evropianët preferojnë ta hanë në bare është shumë larg atij të shëndetshmit. Por edhe në shtëpi gjërat nuk shkojnë më mirë, sepse zakonisht mbi tavolinë dy ushqimet më të dashura dhe më të shpeshta janë biskotat dhe kutia me "corn flakes". Këta të fundit, sipas një studimi të kryer nga disa mjekë anglezë, përmbajnë një sasi të madhe sheqeri. Sikur kjo të mos mjaftonte, më shumë se gjysma e evropianëve prej vitesh kanë hequr dorë nga mëngjesi familjar, duke zëvendësuar ritin kolektiv me praktikën e një personi të vetëm. Është vërtet për t‘u adhuruar që në disa vende të Evropës perëndimore mëngjesi është pasaporta e duhur për ta nisur mirë ditën. Praktika e shëndetshme e të ushqyerit me briosh, qumësht, gjalpë, bukë të thekur apo vezë të skuqura, proshutë dhe bukë të zezë, është për t‘u marrë shembull. Por edhe pse shumica prej nesh e di rëndësinë e tij, askush nuk merr guximin t‘i kushtojë aq shumë vëmendje. "Duhet të mësojmë të ushqehemi e jo të hamë thjesht se jemi të uritur", tregojnë dietologët, të cilët e vënë theksin më shumë te cilësia e ushqimeve, se sa te përmbajtja kalorike e tyre. Atëherë i hapet plotësisht rruga djathit të freskët, bukës me drithëra, me pak gjalpë dhe marmelatë, apo kosit të përzierë me fruta dhe të pasur me fara liri apo kungulli. Sigurisht, ata që nuk shqetësohen fare për kilet e tepërta, mund t‘ia lejojnë vetes edhe një fetë proshutë mes një sanduiçi të lyer me djathë dhie të freskët dhe pak limon, që pavarësisht asaj që duket, barazon vitaminat që do të merrnit përmes një gote me lëng portokalli. Por përveç ushqimit, sekreti qëndron te mënyra e ngrënies dhe shijimit. Atëherë vërtet ia vlen që të ngrihemi gjysmë ore më përpara se sa orari i zakonshëm. Ato që zakonisht heqin dorë prej mëngjesi, janë zakonisht femrat. Ndoshta ideja e kileve të tepërta i tmerron. Kështu, sipas statistikave të bëra, një në katër femra të moshës nga 25 në 37 vjeçe zakonisht nuk hanë mëngjesin. Por nuk duhet asnjëherë të harrojmë se studimet shkencore të 20 viteve të fundit kanë arritur në përfundimin se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm i ditës. Një mëngjes sado i thjeshtë, me qumësht, reçel apo fruta, është burim vitaminash. Ai bën të mundur një përqendrim më të madh dhe rrit mundësinë për të kontrolluar peshën. Kështu, studimet kanë treguar se fëmijët që hanë mëngjes kanë arritur rezultate të larta në provime dhe një nivel më të lartë të përqendrimit në klasë. Ata gjithashtu janë më të gjallë dhe më kreativë. E njëjta gjë vlen edhe për të rriturit. Gjithashtu është vërtetuar se ata që nuk hanë rregullisht vaktin e parë të ditës, kanë më shumë mundësi për t‘u bërë obezë. Shumë të rritur nuk hanë mëngjes, me shpresë se do të dobësohen. Për fat të keq, ideja e humbjes së kilogramëve në këtë mënyrë është krejtësisht e dështuar.







Zanafilla

Tradita e murgjve


Mëngjesi ka "lindur" pak a shumë në kishë apo në manastir. Shumë kohë më parë, murgjve u duhej të bënin edhe punën e dorëshkruesit. Kontrollonin nëse vargjet e Ungjillit, apo të Virgjilit dhe Horacit, ishin shkruar ashtu siç duhej pasi kalonin nga një fletë te tjetra. Kjo lloj pune, që kërkonte sy të mprehtë dhe mendje të kthjellët, në latinisht quhej collatio. Për të "dëmshpërblyer" një ushtrim psikofizik kaq kompleks, ishte e nevojshme për të pasur energji, për të mbajtur sytë hapur dhe për të mos lejuar që koka të përplasej mbi fletët e bardha që në orët e para të mëngjesit. Nuk bëhej fjalë për drekën, as për një darkën e shijshme, por për një mëngjes të shëndetshëm. I lehtë dhe sigurisht i shëndetshëm, mëngjesi ishte ai që i bënte murgjit të punonin pa pushim qysh sapo binte agimi. Luigji XVI, pasi darkonte në dhjetë të darkës, nuk e hante drekën më vonë se ora 2 apo 3 e drekës, pasi kishte zbuluar që aty nga ora dhjetë e mëngjesit një uri e tmerrshme e pushtonte. Po ashtu, mbreti dëshironte që në shenjë respekti damave të tij t‘u çohej për të ngrënë në këtë orë. Në pikturën e holandezit Metsu, protagonistja e mëngjesit është një grua së cilës i çohej një kupë për të pirë dhe jo pjatë për të ngrënë. Edhe te "Nouvelle Heloise", ngjarjet e së cilës zhvilloheshin në Zvicër, Rusoi ka përshkruar në mënyrë të konsideruar tradicionale për femrat: biskota dhe qumësht. Megjithatë, për të thyer urinë e natës, njerëzit nuk kishin pritur që murgjit të "shpiknin" mëngjesin. Njerëzit, në mënyrë të natyrshme kishin kuptuar se nuk mund ta shtynin dot deri në drekë pa futur gjë në gojë pas energjisë që kishin harxhuar natën për të fjetur, për të marrë frymë dhe për të ëndërruar. Nga ana tjetër ishte një mik i mirë për të nisur ditën dhe për të përballuar punën. Jo më kot grekët e lashtë e kishin zakon që sapo hapnin sytë për mëngjes hanin bukë dhe pinin një gotë verë. Ndoshta e kishin zbuluar se kështu do të ishin në gjendje ta përballonin ditën.


Fëmijët


Mëngjesi ideal për më të vegjlit është me bazë glucide, me karbohidrate që asimilohen ngadalë. Gotës së qumështit të skremuar mund t‘i shtohen disa lugë "corn flakes", apo një copë bukë me marmelatë pa sheqer dhe një frut. Në këtë mënyrë krijohet një raport i ekuilibruar i proteinave të tretshme, kripërave, vitaminës B dhe fibrave

Gratë shtatzëna


Është jashtëzakonisht ushqyes një gotë kos natyror i pasuruar me fara (liri apo susami), corn flakes, për të konsumuar disa feta biskotash pa sheqer, të lyera me reçel apo marmelatë. Mjalti (mbi të gjitha ai i freskët) është gjithashtu një ushqim i shëndetshëm. Pija mund të jetë sipas zgjedhjes: kafe, çaj ose një gotë qumësht


Sportistët


Zgjedhja e të gjithë atyre që merren me aktivitete fizike është e llojit proteina dhe yndyra dhe sipas dietologëve: çaj ose kafe, shoqëruar me bukë, gjalpë dhe reçel. Është e lejueshme edhe veza e skuqur apo e zierë, e shoqëruar me një fetë proshutë dhe një gotë lëng portokalli të shtrydhur. Të hash një frut para se të nisësh të merresh me sport, shërben për t‘i bërë sheqernat menjëherë të disponueshme.



Të moshuarit


Në mungesë të sëmundjeve të caktuara, u duhet dhënë përparësi proteinave dhe sheqernave. Është plotësisht i shëndetshëm një filxhan çaji ose kosi, që shoqërohet me një fetë buke drithi, pak marmelatë pa sheqer dhe në fund një frut. Për të moshuarit është më mirë të evitohen biskotat


Me fundin e dimrit është e domosdoshme ta nisësh ditën duke e ndihmuar mëlçinë që të eliminojë helmet nga organizmi. Një gjë e tillë mund të bëhet duke zëvendësuar ekspresin me kafe elbi, për t‘u konsumuar këtë të fundit bashkë me një frut dhe pak maja birre të freskët të tretur në ujë. Fruktozi preferohet më shumë se sheqeri